Pioli tregon sekretet e Milanit: Ibra një kampion, klubi në qendër të gjithçkaje

I ofruan një rol si menaxher i skuadrës, por Stefano Pioli i kishte të qarta idetë e tij, që në fillim: donte të bëhej trajner. Janë të shumta eksperiencat që e kanë ndihmuar deri në momentin e sotëm, ku me Milanin e tij, kryeson renditjen e Serie A.

“Trajnoj një nga klubet më prestigjioz në botë, tashmë të gjithë më shohin. Kam bërë edhe unë etapat e mia në karrierë për të arritur deri në këtë pikë. E ndiejmë presionin, por e përjetojmë javë pas jave.

Nuk u nisëm për të fituar kampionatin apo Champions League, ne duhet të fitojmë gjithmonë ndeshjen e radhës”, ka thënë tekniku i kuqezinjve në një intervistë për Dazn.

Pioli tregon një anekdotë për Ibrahimovicin: “Një nga gjërat më të rëndësishme është se çfarë do të thuash para dhe pas ndeshjeve. Tani nuk them më asgjë pas ndeshjeve, që kur ka ardhur Ibra, hyj më pak në dhomat e zhveshjes…Pas ndeshjes nuk ka shumë qartësi, prandaj preferoj që të flas një ditë më pas”.

Tekniku vazhdon më tej për suedezin: “Ka një mentalitet dhe një forcë të madhe, pavarësisht karrierës së tij, ka shumë dëshirë që të luajë. Ardhja e tij i ka ndihmuar të gjithë. U tregua i zgjuar dhe hyri në një grup, që nuk ishte formuar akoma. Ai pretendon shumë nga vetja dhe nga të tjerët. Ibra është një kampion, që e sheh futbollin para të tjerëve”.

“Klubi është gjithmonë prezent dhe na ka dhënë një mbështetje të madhe, kjo është forca e skuadrës sonë. Maldini, Massara dhe Gazidis janë gjithmonë të pranishëm. Në qendër të gjithçkaje është Milani”, ka përfunduar trajneri i Milanit, Stefano Pioli. /Oversport.tv