Pioli vlerëson Fiorentinën: Kundërshtar i fortë, Vlahovic shumë i rrezikshëm

Pas pushimeve të kombëtareve, Milanin e pret një transfertë delikate në Firenze. Në prag të kësaj sfide, Stefano Pioli mundohet që të mbajë të karikuar lojtarët e tij: “Fiorentina është një kundërshtar shumë i fortë dhe Vlahovic është shumë i rrezikshëm. Kjo është një ndeshje që peshon”.

Kundërshtari-“Kam gjithmonë frikë nga skuadrat që janë në vështirësi për shkak të mungesave. Na ka ndodhur edhe ne dhe kemi gjetur më shumë energji dhe vendosmëri. Pastaj po flasim për një skuadër që ka një identitet të fortë dhe ata që do të luajnë e dinë se çfarë duhet të bëjnë.

Fiorentina do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë. Vlahovic është rritur shumë. E kam stërvitur kur ishte shumë i ri, por që atëherë tregonte potencial të madh. Është një sulmues shumë i mirë.

Italiano është një trajner shumë i mirë, ka bërë gjithmonë mirë. Është i ri, por me ide të qarta. Po bën një punë shumë të mirë, duke i dhënë identitet skuadrës së tij”.

Pioli i Firenzes-“Isha më i ri, kisha më pak eksperiencë dhe përfitoja nga çdo situatë për tu rritur. Jam ndierë shumë mirë si lojtar dhe si trajner në Firenze. Për mua nuk do të jetë kurrë një ndeshje normale. Edhe për kujtimin e Davides, që kur shkoj në Firenze është gjithmonë e më pranë”.

Rinovimi-“Nuk mendoj se është momenti i duhur për të folur. Kur të ketë të reja, do t’ju njoftoj. Është klubi ai që vlerëson kohën në të tilla situata dhe unë nuk kam pasur asnjëherë nxitim. Jemi të përqendruar te fusha, pastaj gjërat e tjera do të bëhen”.

Mungesat-“Skuadra është mirë, por më vjen keq për Calabrian dhe Rebic, që do të mungojnë në këtë ndeshje. Më bëhet qejfi për rikthimin e Messias. Florenzi është në balotazh me Kalulu për një vend në formacion”.

Giroud apo Ibra-“Vlerësimi i parë varet nga kushtet fizike, do të luajë ai që është më mirë. Pastaj vlerësoj karakteristikat individuale në përputhje me kundërshtarin”.

Ndeshja-“Grupi e di vështirësinë e ndeshjeve dhe e kupton që është një moment i rëndësishëm në kampionat. Fitoret vlejnë gjithmonë tre pikë, por ndeshja kundër Fiorentinës peshon shumë. Jemi përgatitur mirë dhe lojtarët janë të përqendruar dhe të vendosur”. / Oversport.tv