Pjesë e Shqipërisë dhe Teutës, ndahet nga jeta Vladimir Ajazi

Vladimir Ajazi, ish-portieri i Teutës dhe i Shqipërisë U21, është ndarë nga jeta dhe ka pikëlluar komunitetin sportiv shqiptar. Kjo humbje e madhe për futbollin shqiptar ka prekur edhe kreun e FSHF-së, Armand Dukën, i cili në rrjetet sociale shkruan:

“I trishtuar për lajmin e ndarjes nga jeta të mikut tim dhe ish-futbollistit të njohur, Vladimir Ajazi. Ish-portieri i Lokomotivës së Durrësit dhe i ekipit kombëtar Shpresa në vitet ’70, ai ishte pjesë e brezi të artë të futbollit durrsak që ka hyrë në histori dhe ka mbetur në memorien kolektive të qytetit bregdetar.

Edhe pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv, Lad Ajazi vazhdoi të jepte kontributin e tij të vyer për futbollin dhe ka punuar si trajner i portierëve në Kombëtare.

Ladi do na mungojë të gjithëve, do i mungojë familjes së tij dhe ne, miqve të tij panumërt që e donim dhe e vlerësonim për karakterin dhe personalitetin e tij të spikatur. Një burrë serioz e i besës, fjalëpak e korrekt dhe një mik i mirë.

U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ajazi për këtë humbje. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për Durrësin dhe për futbollin shqiptar. U prehtë në paqe”. / oversport.tv