Plani i Bushit: Fitojmë me Slloveninë dhe marrim Brojën e Kumbullën!

Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, ka dalë para mediave në prag të ndeshjeve që kuqezinjtë do të luajnë kundër Sllovenisë dhe Kosovës në transfertë më 12 dhe 16 nëntor. Fillimisht Bushi deklaroi për mediat:

“Muçi është në listën tonë dhe do jetë me ne. Nëse ka mungesa të rëndësishme tek ekipi A, atëherë Reja merr lojtarë te ne. Nuk kemi sulmues alternativë, pasi Tuci, Bullari dhe Gjata nuk janë prej fillimit.

Adrian Bajrami është një lojtar i rëndësishëm, do jetë një element edhe për ekipin e parë pasi është vetëm i datëlindjes 2002. E ka dashur edhe Zvicra. I uroj mirëseardhjen dhe i uroj suksese me ne”.

“Normalisht lëvizjet në listë ndikojnë negativisht, por ne kemi bërë mirë edhe me lojtarët që kemi pasur. Kemi shumë lojtarë datëlindje 2002 dhe janë edhe për të ardhmen. Alternativat janë të shumta. Nuk është se kemi pasur probleme, pasi jemi paraqitur mirë kohët e fundit. Lojtarët na kanë ndjekur, kanë sakrifikuar dhe kanë bërë maksimumin.

Jemi Shqipëria dhe duhet të japim 200 për qind për të mundur ekipe si Sllovenia dhe Çekia. Synojmë vendin e dytë, por ekipet e tjera në letër janë më të forta. Në letër ne jemi ekipi i katërt së bashku me Kosovën. Me grupin e plotë mund të bëjmë shumë mirë.

Nuk mund të kemi objektiva si Franca e Anglia, i pari është dërgimi i lojtarëve te Shqipëria. Ne po marrim edhe rezultate. Me Slloveninë është ndeshja më e rëndësishme. Po fituam atje do flasim ndryshe. Po sakrifikuam mund t’ia dalim të fitojmë. Unë kam besim se mund t’ia dalim”.

“Fillimi i mirë është gjysma e punës. Edhe Andorra është e fortë, nuk ka qenë e lehtë. Kanë barazuar me Anglinë, kanë mundur Turqinë. Ne gjithashtu kemi hallet tona. Këto fitore i bëjnë mirë këto fitore, e rrisin grupin dhe optimizmin. Duhet ta mendojmë që duhet të japim 200 për qind për ta mundur Slloveninë. Po ecëm me këtë mendim do jemi shumë të suksesshëm. Suksesi më i madh do jetë që të kalojnë 4-5 lojtarë, që e kanë kualitetin të bëhen pjesë e kombëtares së madhe”.

“Ua kemi dhënë mundësinë të gjithë lojtarëve të kampionatit. Ata që luajnë janë marrë, si lojtarët e Kukësit Tafa e Peposhi. Kishim edhe Prengën e Laçit, që ka marrë pak minuta kohët e fundit. Jemi munduar t’i alternojmë, të marrim nga kampionati ynë dhe nga jashtë”.

“Çdo ndeshje është e rëndësishme për ne, për lojtarët. Kur vesh fanellën e Shqipërisë është e rëndësishme, edhe të stërvitesh e jo më të luash. Ka ndeshje prapë, nuk janë vetëm këto të dyja. Janë edhe 4 ndeshje të tjera më pas. Do jemi në lojë, pasi të gjitha ekipet janë të forta dhe do ia marrin njëra-tjetrës. Ne i kemi sytë te ndeshja me Slloveninë. Nëse fitojmë kemi shumë shanse për vendin e dytë. Në mars Shqipëria është pushim dhe mund të marrim edhe lojtarë si Kumbulla e Broja.

“Jam mirë te Shqipëria U21 dhe ëndrra ime është që të kualifikohem në Europian me këtë ekip. Kemi kontaktuar lojtarë të Kosovës, para se ata të bënin zgjedhjen e tyre. Së bashku me Kosovën do të kishim një kombëtare më të fortë. I kemi mundur vjet dy herë dhe do mundohemi ta bëjmë sërish. Gjithsesi ndeshja e parë është më e rëndësishme për ne. Me Kosovën kemi konkurrencë sikur me ekipet e tjera. Nuk është diçka më ndryshe si të tjerat, si një derbi”.

“Normalisht një sulmues e dalloj më lehtë. Shqiptarët duan t’i bëjnë fëmijët sulmues sepse shohin Messin e Ronaldon. Kemi pas mbrojtës, vetëm Pëllumbin dhe Selmanin. Alternativat e tyre janë moshë e vogël. Brojën e kam parë që do bëhet lojtar i madhe vetëm me një lëvizje te Shqipëria U19 kur ishte Nevil Dede trajner”. / oversport.tv