Platini dhe Blatter në gjyq për 2 milion franga, akuzohen për mashtrim!

Sepp Blatter dhe Michel Platini akuzohen për mashtrim në Zvicër. Prokurorët zviceranë, sipas asaj që shkruan BBC, thonë se ish-kreu i FIFA kaloi në llogarinë e legjendës franceze 2 milion franga zvicerane në vitin 2011.

Prokurorët shkojnë më tej, duke thënë se ajo pagesë e bërë dëmtoi asetet e FIFA dhe pasuroi ish-presidentin e UEFA-s në mënyrë të paligjshme. Të dy ish-krerët e futbollit po përballen me gjyqin në një gjykatë në Bellinzona në Zvicër.

Ata mund të gjobiten ose të shkojnë në burg nëse shpallen fajtorë për akuzat e ngritura. Kjo çështje është hapur që në vitin 2015, kur FIFA u vu nën akuzë për korrupsion dhe ryshfet.

Komisioni Etik i FIFA-s nisi një hetim dhe të dy lanë pozicionet e tyre si presidentë në FIFA dhe UEFA. Blatter dhe Platini i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre.

E gjithë çështja e ngritur është përqendruar në një pagesë për punën këshilluese që Platini bëri për Blatter në periudhën 1998-2002. Prokurorët vënë në dukje faktin që francezi e kërkoi pagesën më shumë se tetë vite më pas dhe më pas Platini e bëri kërkesën në vitin 2011.

Vecc akuzës për mashtrim, ata akuzohen edhe për falsifikim dhe keqmenaxhim kriminal. Avokati i Platini, Dominic Nellen, për BBC ka thënë: “Klienti im i mohon kategorikisht këto akuza. Është e qartë se hetimi duhet të ishte ndërprerë shumë kohë më parë.

Në dosje ka mjaft raporte dhe dokumente të dëshmitarëve që vërtetojnë pafajësinë e klientit tim. Kam 100 për qind besim se do të jemi në gjendje të vërtetojmë pafajësinë e klientit tim në gjykatë”.

Mes të tjerash, avokati ka theksuar se pagesa e Platini ishte bazuar në një marrëveshje verbale dhe vonesa kishte ndodhur për shkak se FIFA nuk ishte në gjendje ta paguante atë shumë në kohë. Blatter nga ana tjetër ka thënë se pagesa ishte miratuar nga të gjitha organet përgjegjëse të FIFA-s dhe se Platini kishte paguar tatimin mbi shumën e marrë në vendbanimin e tij në Zvicër.  / oversport.tv