Plori: Ishim të përgjumur në fillim, Vllaznia mund ta kapë Europën

Vllaznia mori fitoren e parë me Elvis Plori në krye. Trajneri shkodran, pasi morën pikët e plota pas 7 ndeshjes kundër Skënderbeut, deklaroi: “Pjesa e parë nuk ishte siç duhet, duhet të ndalemi tek kjo pjesë. Lojtarët ishin si të përgjumur. Ndikoi dhe mungesa e Krymit, i cili lidh repartet.

Lojtarët ndiejnë lodhje në këmbë, jemi në lojë edhe në kampionat, edhe në Kupë. Skënderbeu di të luajë futboll, erdhi në Shkodër për të luajtur pa presion, duke e qarkulluar mirë topin. Në pjesën e dytë ndryshuam edhe në anën tekniko-taktike, sepse duhet të rrezikonim më shumë dhe të ishim më të saktë”.

“Nuk ishte rastësi goli i Hakajt, sepse kërkonim ndërhyrjen e anësorëve. Sikur u zgjua nga gjumi në pjesën e dytë skuadra, lojtarët janë profesionistë dhe duhet të arrijmë objektivin që është pjesëmarrja në kupat e Europës”, shtoi Plori në “Gol pas Goli”

“Them se i kemi mundësitë për të arritur objektivin, por nëse nuk ka entuziazëm, do të jetë e vështirë. Duhet të jemi të saktë në veprimet tona. Sidoqoftë, kemi ekuilibra në ndeshjet e fundit. Tani presioni i pikëve është shumë i madh, por them se kemi pasur stabilitet. Duhet të jemi seriozë dhe të mos u lëmë hapësira kundërshtarëve.”

“Dinamo duhet marrë shumë seriozisht, ka lojtarë shumë të mirë, në këtë moment duhet automatikisht ta vlerësojmë ndeshjen”, përfundoi trajneri Elvis Plori deklaratën e tij. / oversport.tv