Plori: Na duhen 9 pikë për Europën, që mos merremi me ekipet e tjera

Në prag të ndeshjes kundër Tiranës, që do të luhet nesër në “Selman Stërmasi” në orën 17:15 trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori ka folur për mediat në një konferencë për shtyp. Tekniku ka analizuar kundërshtarin dhe ka treguar objektivat e skuadrës shkodrane në këtë sfidë:

“Për ne është një sfidë me shumë interes, duke ditur edhe ngjeshjen e ekipeve dhe objektivat. Nuk kemi arritur asgjë deri tani. Jemi baraz me pike me Partizanin dhe tre pikë para Kukësit, ka edhe tre ndeshje. Duhet të jemi seriozë dhe të bëjmë në fushë më të mirën.

Tirana është skuadër që nuk ka shkuar kot 20 pikë para. Ka element që bëjnë dallimin, duhet vlerësuar në maksimum. Nuk duhet të nënvlerësojmë. Nuk kemi kohë për gabime dhe rikuperime, janë tre ndeshje për të marrë maksimumin.

Na duhen 9 pikë për Europën. Ne nuk duhet të merremi me Tiranën, të merremi me veten dhe të kemi angazhim në fushë si ndaj Kukësit. Duhet mos bëjmë një pjesë mirë dhe një keq, kemi bërë gabime. Të kemi mendjen te detyrat tona, jo çfarë bën Tirana. Të mendojmë për këtë duel, më pas për dy të tjerat.

Latifi është i gatshëm. Gjurgjeviç e ka të pamundur të kthehet edhe pas analizave të kryera. I bindur nuk jam, 90 minuta do luhet futboll. Topi është i rrumbullakët. Duam një skuadër kërkuese me shumë entuziazëm në fushë. Ne na duhen tre fitore që mos merremi me ekipet e tjera. Do flasim vetëm për Vllazninë.”, ka thënë mes të tjerash Plori. / Oversport.tv