Plotësohet “puzzle”, ja kush janë pilotët e sezonit tjetër në Formula 1

Pas zyrtarizimit të Guanyu Zhou tek Alfa Romeo, janë plotësuar të gjitha ulëset për sezonin tjetër në Formula 1. Të gjithë ekipet kanë bërë zyrtare dyshen e pilotëve që do të garojnë me skuadrat e tyre për sezonin e ardhshëm.

Kështu ndryshimi i parë vjen nga Mercedes që kanë larguar Bottas dhe kanë afruar talentin anglez, George Rusell. Ai do të jetë piloti tjetër i Mercedes përkrah Lewis Hamilton. Redbull ndërkohë nuk do të bëjë asnjë ndryshim për sezonin tjetër duke konfirmuar Max Verstappen dhe Sergio Perez.

Edhe Ferrari e ka konfirmuar dyshen e këtij sezoni Charles Leclerc dhe Carlos Sainz njësoj si McLaren dhe Aston Martin. Për ekipin portokalli do të jenë Lando Norris dhe Daniel Riçiardo që do të garojnë me McLaren ndërkohë që Lance Stroll dhe Sebastian Vettel do të garojnë për skuadrën tjetër angleze.

Ndryshime në ekip ka patur gjithashtu tek Williams që në vend të Rusell do të vijë Alexander Albon. Ai do të jetë pjesë e ekipit me Nicholas Latifi. Ndërkohë, tek Alfa Romeo dyshja do të jetë krejtësisht e ndryshme nga ky vit me Valtteri Bottas dhe Guanyu Zhou që do të garojnë nën të njëjtën logo.

Asnjë ndryshim edhe tek Alpha Tauri, Alpine dhe Haas që kanë konfirmuar pilotët e tyre. Pierre Gasly dhe Yuki Tsunoda do të garojnë për binjakët e Redbull ndërsa Fernando Alonso dhe Esteban Ocon për francezët. Për ekipin amerikan Haas do të garojnë Nikita Mazepin dhe Mick Schumacher. /oversport.tv