Pochettino: PSG “OK” me bilancet, Messi meriton Topin e Artë! Mbappe profesionist

Mauricio Pochettino mbron merkaton e yjeve që ka bërë PSG-ja: “Nuk po bëjmë asgjë jashtë rregullave, madje mes të mëdhenjve, jemi skuadra që ka shpenzuar më pak, duke blerë lojtarë me parametër zero.

Nganjëherë flitet shumë pa i ditur gjërat, nëse shkojnë dhe kontrollojnë llogaritë e klubeve të tjera, kushedi se çfarë surprizash do të gjejnë…”, thotë tekniku i parizienëve për spanjollen “Marca”.

Tekniku argjentinas ka komentuar edhe situatën e Mbappé, të cilit i skadon kontrata në vitin 2022 dhe kërkohet me insistim nga Reali i Madridit: “Situata është e paqartë, asnjë nuk e di të ardhmen, PSG-ja mund t’i ofrojë argumenta që mund ta bëjnë të lumtur.

Gjithsesi nuk kam asnjë dyshim për profesionalizmin e tij. Nëse në maj do të luhej një finale në Champions, Real-Psg dhe Kylian të ishte te pika e bardhë e penalltisë? Deri në ditën e fundit, nëse do të jetë 30 qershori apo pas 10 vitesh, do të jetë profesionist 200%. Ai është një lojtar si Messi apo Cristiano Ronaldo”.

Në lidhje me Messin, Pochettino shpjegon si lindi tratativa: “Leonardo më mori në telefon dhe më tha se ekziston mundësia për të blerë Messin, a je dakord? Domethënë, më mori në telefon për të pyetur…

Iu përgjigja: është një shaka, është vërtetë diçka e mundur? Më pas filluan bisedimet dhe gjithçka rrodhi shumë shpejt”.

Përsa i përket fituesit të Topit të Artë, tekniku ka thënë: “Nuk ka dyshime, edhe po të mos e trajnoja do të thoja Messi. Në podium do të doja edhe Lewandowskin dhe Cristiano Ronaldon”.

Në fund edhe dy fjalë për emrin e tretë në sulmin “atomik” të skuadrës pariziene: “Neymar ka folur me Leonardon dhe besoj se është gjithçka e qartë për të ardhmen e tij. Që i vogël ka pasur shumë presione. Ka thënë diçka që mund të interpretohet në shumë mënyra, por nuk kam dyshime që do të rrijë këtu për të na dhuruar Champions League”. / Oversport.tv