Pogba refuzon Real e PSG, Juve nis llogaritë për t’i garantuar pagën

Paul Pogba dhe Juventus janë dy rrugë që takohen kurdoherë. Ndoshta nostalgji, por ndoshta edhe dashuri mes francezit dhe skuadrës bardhezi. Menjëherë pasi në mediat angleze doli njoftimi se mesfushori nuk ka pranuar rinovimin me “Djajtë e Kuq”, “BIG”-ët Real dhe PSG nisën menjëherë kontaktet me agjentin Raiola, por vetë lojtari po shtyn që të rikthehet edhe një herë në Torino.

Mundësitë? Aktualisht, Pogba përfiton 14 milionë euro neto në vit, shifër që për bardhezinjtë nuk është lehtësisht e realizueshme. Me ligjet e reja fiskale në Itali, për t’i garantuar këtë pagesë prej 14 milionë eurosh francezit, Juve shpenzon 21 milionë dhe jo 28 (rreth 50% taksa të zbritura nga shteti italian).

Sidoqoftë, për momentin duket diçka e vështirë për Maurizio Arrivabene që të shkojë drejt një akordi të tillë, por vetë dëshira e lojtarit dhe nevoja e Juventusit për të rikthyer një kampion si Pogba, do të detyrojë drejtuesit bardhezinj që të gjejnë një zgjidhje financiare. Për t’u theksuar është fakti që francezi do të kërkojë të paktën një kontratë 3 vjeçare me Juventusin, deri në vitin 2025. /oversport.tv