Poker i Brazilit, Argjentinës i mjafton një gol i Lautaro Martinezit

Argjentinës i mjafton një gol i Lautaro Martinezit në minutën e 43-të të takimit për të mposhtur Perunë në ndeshjen e fundit të këtij muaji të kualifikueseve të Kupës së Botës, Katar 2022.

Falë këtij suksesi të besuarit e teknikut Scaloni konsolidojnë pozitat në vendin e dytë në grup (në kuotën e 25 pikëve) dhe janë shumë pranë kualifikimit në fazën finale të Botërorit.

Brazili ka treguar se është skuadra më në formë në Amerikën Latine, pasi ka mposhtur 4-1 rivalët e Uruguait në ndeshjen respektive. Raphinha me një dygolësh dhe Neymar e Gabriel Barbosa me nga një gol të shënuar kanë vulosur fitoren e brazilianëve, që tashmë janë shumë pranë kualifikimit në fazën finale të Katar 2022. Goli i Suarez shërben vetëm për statistika, teksa Uruguai ka zbritur në vendin e pestë në grup.

Kili ka mposhtur 3-0 Venezuelën e vendit të fundit dhe falë këtij suksesi mban gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Botëror. Kilianët janë ngjitur në vendin e 6-të në grup dhe janë vetëm 3 pikë larg zonës që të kualifikon në fazën finale të turneut.

Përballja direkte mes Kolumbisë dhe Ekuadorit nuk ka nxjerrë fitues, pasi ka përfunduar në barazim të bardhë 0-0. Të dyja skuadrat vazhdojnë të qëndrojnë në zonën që të kualifikon në fazën finale të Botërorit.

Bolivia ka mposhtur 4-0 Paraguajin dhe është futur në grupin e skuadrave që pretendojnë kualifikimin direkt ose Play Off-in ndërkontinental.

Ndeshjet kualifikuese të Amerikës Latine

Argjentinë-Peru 1-0

Lautaro Martinez 43’

Brazil-Uruguai 4-1

Neymar 10’, Raphinha 18’, 58’, Gabriel Barbosa 83’/ Suarez 77’

Kili-Venezuelë 3-0

Pulgar 18’, 37’, Brereton 73’

Kolumbi-Ekuador 0-0

Bolivi-Paraguaj 4-0

Ramallo 21’, Villaroel 53’, Abrego 84’, Fernandez 90+4’