Pole i Verstappen në Austri! Mposhtet Ferrari, zhgënjejnë pilotët e Mercedes

Max Verstappen zhvillon një xhiro të fundit të çmendur me kohën 1:04.984 dhe siguron “pole position”, që e lejon që të niset para të gjithëve në “Sprint Race” që do të zhvillohet nesër në Austri.

Piloti i Red Bull ka lënë pas dy makinat Ferrari, me Charles Leclerc që do të niset i dyti, ndërsa Carlos Sainz i treti. Kohën e katërt më të mirë e ka regjistruar Sergio Perez, por meksikani është nën hetim sepse ka kaluar limitet e pistës në Q2.

Provat zyrtare u ndërprenë 2 herë për incidente që përfshinë brenda pak minutash makinat  Mercedes, me Lewis Hamilton dhe George Russell që u aksidentuan.

Nesër do të zhvillohet “Sprint Race” (e dyta nga tre që janë programuar në këtë Botëror), një garë 100 km, ku marrin pikë 8 pilotët e parë (fituesi 8 pikë, vendi i dytë 7 pikë e kështu me radhë). / Oversport.tv

Foto: Formula 1 Twitter