Polemika në rrjetet sociale, Fiorentina krahason Chiesan me zhytësen e njohur

Një video e publikuar dhe më pas e hequr në “Tik Tok”, ka nisur një “luftë” në rrjetet sociale pas sfidës Juventus-Fiorentina.

Në profilin zyrtar të klubit “vjollcë” është shfaqur një video në të cilën Federico Chiesa krahasohet me ish-zhytësen “axurre” Tania Cagnotto (kampione Olimpike në zhytje në pishinë), për episodin e faullit të Milenkovic ndaj lojtarit të Juventusit, që i kushtoi kartonin e dytë të verdhë mbrojtësit serb në sfidën në “Allianz”.

Në video tregohet ky episod, por me komentin e Stefano Bizzottos, komentatorin e RAI-t në transmetimin e garave të zhytjes në pishinë. “Ja dhe Tania Cagnotto”, dëgjohet në fillim të videos.

Një sulm jo shumë miqësor ndaj ish-lojtarit të tyre, ndonëse gjatë ndeshjes as trajneri Vincenzo Italiano dhe as Nikola Milenkovic nuk bënë ndonjë protestë të madhe për këtë vendim të gjyqtarit Sozza. /Oversport.tv