Polonia na prish ëndrrën në “Air Albania”, Anglia paqe me Hungarinë

Shqipëria zgjohet, ëndrra për një biletë për në Botërorin 2022 mund të ketë përfunduar këtu. Matematikisht jo, por shanset që të ndodhë janë të vogla. Polonia na mposht me rezultatin 1-0, në një ndeshje ku kuqezinjtë kishin mungesa të rëndësishme.

Nuk ishim në lartësinë e duhur në aspektin e lojës, por as Polonia nuk bëri ndonjë mrekulli. Në minutat e para, konkretisht në të nëntën, Rey Manaj mund të ishte treguar altruist dhe të shërbente për Uzunin dhe t’i jepte një mundësi shënimi.

Zgjodhi të godiste vetë dhe nuk kishim “bereqet”. Polonia nga ana tjetër ishte e rrezikshme në goditjet standarde, por nuk mundi të shënonte dot. Në pjesën e dytë miqve ua falim vetëm mundësitë për shënim, me gabime që Lenjani dhe Bare bënë.

Fati na shpëtoi, por nuk mund ta kishim në krah për shumë kohë. Swiderski na ndëshkoi në minutën e 77-të dhe në fushë vërshyen shishet. Arbitri ndali lojën për disa minuta dhe pas paralajmërimeve lojtarët zbritën sërish në fushë. Asnjë mrekulli, edhe pse Broja u mundua ta bënte ndonjë.

Polonia na mposht dhe na merr vendin e dytë, me dy pikë më shumë se ne. Tani kuqezinjtë i pret Anglia, që sot barazoi 1-1 me Hungarinë dhe në duelin e ardhshëm do tentojë të vulosë kualifikimin në Botëror.

EUROPEAN QUALIFIERS

Shqipëri-Poloni 0-1
Shënues:
Swiderski 77’
Angli-Hungari 1-1
Shënues:
Stones 37’ / Sallai (pen.) 24’
San Marino-Andorra 0-3
Shënues:
Pujol 11’, Moreno 53’, Betriu 89’

/ oversport.tv