Prade: Nuk mund të humbasim me zero Vlahovic, të hapur edhe ndaj Juves

I fundit që ka dalë të komentojë mbi situatën e Dusan Vlahovic ka qenë drejtori sportiv i Fiorentinës Daniele Prade. I ftuar në emisionin “Aspettando il Calciomercato”, në Sportitalia ai u shpreh se është i gatshëm të shesë Vlahovic edhe te Juventusi në rast se plotësohen kushtet.

“Merkato përfundon në datën 31, si mund të them se ka mbaruar? Jemi gati për çdo mundësi. Kemi një sektor të rëndësishëm “skauting” dhe po menaxhohet shumë mirë nga Joe Barone. Jemi të kënaqur me programin e punës sonë”.

Më pas ai foli për Dushan Vlahovic: “Ne kemi marrë oferta të rëndësishme për të. Oferta që ishin shumë të konsiderueshme, por nuk kemi pasur kurrë përgjigje nga agjentët e tij.

Nga ana jonë, gjithmonë ka pasur transparencë të madhe. I referohem deklaratave të Barone dje. Të gjitha dyert tona janë të hapura. E them këtë sepse duam të kuptojmë se çfarë kërkon ai dhe çfarë duan agjentët.

Gjithashtu jemi të hapur të ulemi përsëri për rinovimin. Kemi oferta që të mund ta shesim shtrenjtë atë. E them këtë sepse një kompani si ne që ka 75 milionë euro xhiro në vit dhe që ka një pasuri që vlen siç është Vlahovic, nuk e ka luksin ta humbasë me parametër zero.

Duhet të kuptojmë se çfarë kërkon. Dyert tona janë të hapura për të gjithë. Nuk lë vend për interpretime të tjera. Edhe Juventusi? Jemi të hapur për çdo gjë. Por agjentët duhet të na tregojnë qëllimet e tyre.” /oversport.tv