Presidenti i Lille ngrin Milanin: Botman nuk largohet deri në verë

Në fillim dëmtimi i rëndë që i kushton humbjen e sezonit Simon Kjaerit, pastaj edhe krisja e Tomorit. Milani në merkaton e dimrit kërkon një mbrojtës qendre dhe as Pioli, as Maldini nuk e kanë fshehur diçka të tillë. Por gjetja e profilit të duhur nuk është aspak e lehtë.

Shumë emra të përmendur, disa të “shpikur” sipas fjalëve të vetë Maldinit. Por nga lista është larguar një emër, që për hir të së vërtetës ishte objektiv real. Bëhet fjalë për Sven Botman. “Qëndron me ne deri në fundin e sezonit”, ka thënë presidenti i skuadrës franceze.

Këtë herë duket se fjalët e Olivier Letang nuk janë thjesht deklarata rutinë, që ngjasojnë me lojën e tratativës. “Kemi qenë të qartë me të gjithë. Që në verë ai ka qenë i kërkuar nga shumë skuadra, por ne kemi nevojë për të dhe nuk do të largohet deri në fundin e sezonit. Ai është një lojtar i rëndësishëm dhe do të japë kontribut si në Champions ashtu edhe në kampionat”, tha ai.

Profili i holandezit qëndron në listën e kuqezinjve ndoshta për sezonin e ardhshëm, por tani situata bëhet e vështirë sepse ka edhe disa skuadra nga Anglia që e kërkojnë.

Për afrimet e menjëhershme, drejtuesit janë duke kërkuar disa mbrojtës të tjerë, por pa u nxituar. Nëse emrat nuk janë bindës dhe aspekti ekonomik nuk përshtatet, atëherë qëndrimi i Gabbias është i sigurt. / oversport.tv