Presidenti i Interit, Steven Zhang ka dashur t’i japë një mesazh të fortë të gjithë ambientit zikaltër, duke mbledhur në një takim online të gjithë lojtarët, trajnerin Simone Inzaghi bashkë me gjithë stafin teknik, Giuseppe Marottan dhe Piero Ausilion, për një fjalim motivues në prag të debutimit në Champions.
Zhang ka theksuar se dëshiron që të vazhdojë ta mbajë Interin kompetitiv në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë dhe se objektivi parësor është që skuadra të vazhdojë të fitojë.
Ka kërkuar nga lojtarët që të luajnë me zemër, të lirë nga presionet dhe gjithmonë të japin maksimumin në fushën e blertë përballë çdo kundërshtari.
Presidenti zikaltër ka uruar të gjithë lojtarët që këtë sezon janë bashkuar me kampionët e Italisë, duke rikujtuar përgjegjësitë dhe vlerat që duhet të përfaqësojnë ata që veshin fanellën zikaltër, në respekt të klubit dhe miliona tifozëve në të gjithë botën.
Ndërkaq tifozët mezi presin që të shohin skuadrën e tyre në Champions dhe të gjitha biletat e nxjerra në treg për këtë sfidë janë shitur. Mbi 37 mijë tifozë do të jenë të pranishëm në “San Siro” për të parë sfidën kundër Realit. /Oversport.tv