Prezantohet Renato Arapi: Gjithçka është si vjet, kjo Teutë ka një defekt

Renato Arapi është emëruar trajner i Teutës, pas largimit të Edi Martinit. Durrsaku, i cili vjet u shpall kampion me “Djemtë e detit” në fushë si kapiten, tani nis një aventurë të re dhe në prezantimin e sotëm falënderon klubin për besimin e dhënë.

“Gjej rastin për të falënderuar presidentin për mundësinë që më ka dhënë. Është përgjegjësi e madhe, pasi sepse vijmë nga titulli kampion. Kemi bërë ndeshje me lojë të mirë. Duhet të ndryshojmë disa gjëra, nuk na premton koha. Të shpresojmë që të marrim maksimumin nga ndeshja e radhës”, tha fillimisht Arapi.

Më pas ai shtoi: “E njoh ambientin e klubit, kam marrëdhënie të mira edhe me lojtarët. Besoj se do kem mbështetjen e tyre. Ajo që do synojmë këtë javë është ana psikologjike, për të dhënë besimin që kemi pasur.

Kemi bërë ndeshje të mira, vetëm në fund kapitulluam me Partizanin. Kemi diferencë prej tetë pikësh me vendin e parë. Është njësoj si vitin e shkuar, kur në fund ia dolëm të fitonim titullin. Jemi ndërtuar për vendet e para”.

Arapi tregon hapur çfarë nuk i ka pëlqyer te Teuta në fillim të këtij sezoni: “Jemi koshient për golat që pësojmë, kemi pasur ndryshime në mbrojtje. Ndryshe nga vjet, kemi shënuar çdo ndeshje. Gjithsesi kemi pësuar dhe ky është defekti”.

Një tjetër problem janë edhe kartonët e shumtë: “Kartonët nuk na bëjnë mirë, do mundohemi ta zgjidhim këtë pjesë. Duke pasur edhe besimin brenda, them se do jemi në vendet e para. Mos harrojmë se është edhe Dinamo këtë sezon, që e shton vështirësinë”.

Në fund Arapi foli edhe për raportin me ish-trajnerin e Teutës, Edi Martinin. “Kam pasur komunikim gjatë gjithë kohës, kam marrëdhënie të ngushtë. Më ka dhënë sugjerimet e tij. E falënderoj për çdo gjë që ka dhënë dhe mbështetjen që më ka dhënë në çdo hap. Është trajneri më i suksesshëm i Teutës dhe unë i uroj vetëm suksese”. / oversport.tv