Pritja dhe barazimet marrin fund, Genoa e Blessin mposht Torinon

26 javë pritje, pas shtatë barazimesh radhazi me Alexander Blessin në stol, Genoa ka regjistruar një tjetër fitore në Serie A këtë sezon, që është edhe e dyta në total. Jo më kot renditet në vendin e parafundit, por sonte e mposhti 1-0 Torinon që frenoi Interin një javë më parë.

Tre pikë shprese për skuadrën kuqeblu, që fitoi një ndeshje shahu sot. Mjaftoi një goditje e Portanova në minutën e 14-të, pasi Berisha nuk ia doli ta devijonte topin dhe Izzo më pas e bëri dhuratë. Festë e madhe në “Marassi”.

Më pas topi iu dorëzua skuadrës së Torinos, sidomos pasi Ostigard mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 24-t. Mandragora nga goditja e dënimit që fituan goditi mbi traun e portës.

Rasti më i mirë për skuadrën e Torinos ishte ai i Mërgim Vojvodës. Belotti provoi të shënonte me një lëvizje akrobatike, por topi shkoi te mbrojtësi shqiptar. Me kokë ai goditi dhe pa portierin Sirigu t’i mohonte golin e barazimit.

Genoa, e mirëvendosur në fushë dhe përballë një Torino të “fikur” disi, nuk e lejoi kundërshtarin të krijonte raste të rrezikshme për Sirigu dhe në këtë mënyrë edhe nuk pati ndonjë gol tjetër. Kjo bëri që skuadra e Blessin të shijonte fitoren dhe tashmë shpreson edhe në qëndrimin në Serie A.

Sigurisht për këtë duhen fitore, jo vetëm barazime. Torino, pavarësisht humbjes, nuk është se rrezikon, pasi renditet në mesin e artë të tabelës. / oversport.tv

Foto: Genoa CFC, Twitter