Probleme me mungesat, Mourinho duhet të shpikë formacionin kundër Torinos

Fitorja kundër Zoryas është arkivuar tashmë dhe Roma është në emergjencë totale në mesfushë për sfidën kundër Torinos në kampionat.

José Mourinho është i detyruar edhe një herë që të shpikë formacionin, për të përzgjedhur lojtarët që duhet të mbulojnë mungesat e disa titullarëve, veçanërisht në mesin e fushës.

Veretout do të mungojë të dielën sepse është i skualifikuar, ndërsa Cristante dhe Villar nuk do të luajnë kundër Torinos sepse janë me Covid. Në pankinë mbeten vetëm Darboe dhe Bove, dy të rinj që janë aktivizuar shumë pak, si dhe Diawara , që në Serie A nuk luan që nga gushti.

Telashet nuk mbarojnë këtu për Mourinhon, sepse edhe Lorenzo Pellegrini nuk luajti në Europë për shkak të një shqetësimi në gju. “Lorenzo është i dëmtuar”, ka thënë tekniku dhe kjo deklaratë të lë të kuptosh se kapiteni vështirë se do të luajë si titullar të dielën.

Edhe Zaniolo ka shfaqur shqetësime në pulpë dhe mbetet në dyshim për sfidën kundër skuadrës së teknikut Juric. /Oversport.tv