Prodani: Manipulim me numrin e delegatëve, sikur kishin ardhur nga Hëna

Eduard Prodani është tërhequr nga votimet e Shoqatarës Rajonale të Futbollit në Tiranë dhe për mediat pasi doli nga ambientet e FSHF shprehur pretendimet e tij për numrin e delegatëve.

“Atëherë, siç e prisnim, në sallën e asamblesë gjetëm më tepër sesa numri i duhur i delegatëve me të drejtë vote. Kjo është arsyeja që deri më tani nuk na është dhënë numri i delegatëve. Duhet ta dini që kam insistuar që të jepej numri i delegatëve. Nuk ka votime pa ditur se kush po voton për ty.

Ne nuk na është dhënë ky numër deri më sot, qëllimi ka qenë i qartë, ka qenë manipulim i listës së delegatëve. Kanë shtuar ditë e fundit pafund. Aty u lexua një listë shoqatash dhe në mënyrë arbitrare dikush kishte një, dikush kishte dy. Kuptohet që të pa preferuarit kishin një, të preferuarit dy.

Aty kishte fytyra, që jo unë, por këta çunat që kanë 20-30 vjet që merren me këtë sport nuk i kishin parë asnjëherë. A kishin ardhur nga hëna apo ishin alienë nuk e di njeri. Kjo është qartazi një asamble e manipuluar. Ne nuk mund të qëndrojmë në të. E prisnim një gjë të tillë. Do shkojmë të shqyrtojmë me ekspertët tanë ligjorë, që nuk u lejuan të futen. Do shkojmë të diskutojmë me ta për masat e mëtejshme.”

Mbledhja drejtohej nga njerëz të federatës që s’kanë lidhje. Madje edhe në këtë godinë nuk duhej të bëhej mbledhje. Është pa sens, Shoqata është krejtësisht institucion tjetër. Shoqata nuk ka staf, e tërë përgatitja është bërë nga federata e futbollit.

Konflikt i pastër interesi. Ne i morëm përsipër, këto por nuk mund të marrim pjesë në një asamble ku nuk dimë se nga vijnë njerëzit. I bie të bëheshim ortakë në këtë estradë. Numri ishte shumë më i madh. Ne jemi 41 shoqata, aty ishin 67 delegatë.” / oversport.tv