Provokon ish-kandidati për president: Momenti për të sjellë Ronaldon te Barca

Cristiano Ronaldo dhe Barcelona janë dy botë të largëta, thuajse të kundërta. Ylli portugez për vite me radhë ka qenë armiku numër 1 i skuadrës blaugrana, si dhe rivali i përjetshëm i Messit, në garën dyshe që ka vite që bën të diskutojnë të apasionuarit pas futbollit.

Por ka edhe nga ata që duan ta shohin ish-lojtarin e Realit të Madridit me fanellën e Barcelonës. Bëhet fjalë për Toni Freixa, ish-kandidatin  për president të klubit katalanas, që në një intervistë ka thënë: “Nëse ka një moment për të bërë një çmenduri të tillë, atëherë ky është momenti i duhur”.

Në orët e fundit në Angli po qarkullojnë lajmet se Ronaldo mund të largohet nga Manchester United në fund të sezonit. Rezultatet e dobëta, që mund të çojnë në mungesën e skuadrës në Champions vitin tjetër, mund të shtyjnë portugezin drejt largimit.

Një futbollist i kalibrit të tij do të risillte entuziazmin tek tifozët katalanas që nuk e kanë pritur mirë largimin e Messit dhe këtë fillim zhgënjyes të skuadrës në kampionat dhe në Champions. / Oversport.tv