PSG nuk ka rivalë, Neymar dhe Mbappe vendosin klasiken kundër Marseille

PSG hedh një hap të sigurt drejt titullit kampion në Francë, pasi ka mposhtur në “Parc des Princes” në klasiken e Ligue 1 rivalët e Marseille me rezultatin 2-1.

Pas këtij suksesi shkon në 15 pikë diferenca mes dy skuadrave dhe kur kanë mbetur edhe 6-të javë nga përfundimi i kampionatit, duket se titulli i radhës për parisienët është vetëm çështje ditësh.

Neymar zhbllokon shumë shpejt klasiken, por një gafë e Donnarummas rifut në lojë miqtë, që barazojnë rezultatin. Messit i anulohet një gol për pozicion jashtë lojë, por mendon Mbappe që të kalojë sërish në avantazh PSG, pasi shënon nga pika e bardhë e penalltisë në shtesën e pjesës së parë.

Vendasit luajnë më mirë edhe në pjesën e dytë, por janë miqtë ata që gjejnë rrugën e rrjetës me Saliba në minutat e fundit të takimit. Ndërhyn VAR dhe goli anulohet për një pozicion jashtë loje. Mbyllet 2-1 klasikja e Francës. PSG shkon e sigurt drejt titullit kampion, ndërsa Marseille duhet të blindojë vendin e dytë në renditje. / Oversport.tv

Foto: Paris Saint-Germain Twitter

Francë – Ligue 1 / Java e 32-të

PSG- Marseille 2-1

Neymar 12’, Mbappe 45+4’ (pen) / Caleta-Car 31’