PSG-së i duhen miliona: Nga Icardi te Draxler, lista e atyre që mund të shiten

Paris Saint-Germain duhet të bëjë merkato në dalje që të mund të rregullojë parametrat ekonomikë të klubit.

Në qershor të vitit 2021, drejtori sportiv Leonardo kishte prezantuar një zë të veçantë në bilancin e dhënë për DNCG (enti financiar që kontrollon klubet në Francë), ku theksonte se objektivi ishte që të arkëtoheshin 180 milion euro për të kompensuar humbjet e këtij vitit, rreth 200 milion euro.

Gjatë merkatos së verës PSG arkëtoi vetëm 9 milion euro dhe sipas asaj që shkruan “L’Équipe”, klubi parisien duhet të marrë të paktë 100 milion euro nga shitjet që të mos detyrojë Qatar Sports Investments, që të shtojë kapitale të reja për të evituar ndëshkimet financiare.

PSG mendon se Diallo dhe Kehrer vlejnë 25 milion secili, ndërsa një nga emrat e mëdhenj që mund të largohet është Julian Draxler. Kartoni i gjermanit vlen 20 milion, por vështirë të tërheqë ndonjë klub pasi nuk ka shkëlqyer në Paris.

Largime të tjera të mundshme janë Rafinha, Layvin Kurzawa dhe portieri Sergio Rico. Është edhe Mauro Icardi, që kërkohet nga Juventusi, por Leonardo ka ngrirë tratativën. / Oversport.tv