Puja komplikon situatën, por Pedro Augusto i dhuron Egnatias fitoren e parë

Egnatia ka arritur fitoren e parë sezonale në “Abissnet Superiore”, pasi ka mposhtur 2-1 Kastriotin në ndeshjen e luajtur në “Egnatia Arena”. Braziliani Pedro Augusto ka qënë heroi i rrogozhinasve, duke shënuar 2 golat e kësaj sfide.

Ka qënë një ndeshje e mbushur me emocione përballja mes Egnatias dhe Kastriotit. Vendasit sulmojnë që në minutat e para dhe përpjekjet e tyre konkretizohen në minutën e 23-të, kur Arbër Çyrbja fiton një 11 metërsh.

Braziliani Pedro Augusto realizon penalltinë dhe të besuarit eMaganit e shohin veten në avantazh. Egnatia mundohet të dyfishojë, por 45 minutat e para mbyllen me rezultatin 1-0.

Sapo fillon pjesa e dytë, Kodra lë Kastriotin me 10 lojtarë. Pas vetëm 6 minutash lojë, futbollisti ndëshkohet shumë shpejt me dy kartona të verdhë dhe në minutën e 52-të largohet me karton të kuq.

U duk se Egnatia po shkonte drejt suksesit të parë sezonal, por mendon portieri Puja që tia vështirësojë gjërat skuadrës së tij. Gardiani bën një gafë të pafalshme dhe i dhuron golin e barazimit sulmuesit Ajazi.

Të besuarit e Maganit hidhen në sulm, pasi duan që ta fitojnë këtë takim, por në minutën e 77-të është Telushi, ai që lë skuadrën e tij me 10 vetë.

Barazim rezultati, barazohet dhe numri i lojtarëve në fushë. Egnatia nuk kënaqet me një pikë dhe hidhet në sulm, Pedro Augusto godet travertsën në minutën e 80-të.

Por, përpjekjet e vendasve do të shpërbleheshin në minutën e dytë shtesë, ku pas një goditjeje këndi, braziliani Augusto devijon topin në rrjetë, edhe me pak fat.

Egnatia arrin një fitore historike, të parën pas 16 vitesh në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa Kastrioti vazhdon të tregojë se do të vuajë shumë për të mbijetuar në “Abissnet Superiore” këtë sezon. /Oversport.tv

Abissnet Superiore-Java e 4-t

Egnatia-Kastrioti 2-1

Pedro Augusto 24’(p), 92’ / Ajazi 59′