Pushimi rigjeneron Milanin, rikuperohen lojtarët e dëmtuar

Një pushim që ka rigjeneruar Milanin. Skuadra e Stefano Piolit po fluturonte në kampionat, para pushimit të ndeshjeve të kombëtareve, por 15 ditët e mungesës së kampionatit i kanë rikthyer trajnerit kuqezi një skuadër në shëndet të plotë, si në aspektin fizik edhe në atë mendor, të gatshme për të përballuar një tjetër cikël prej 7 ndeshjesh në 20 ditë.

Që këtë të shtunë, në ndeshjen kundër Veronës në “San Siro”, kuqezinjtë do të rigjejnë në sulm, që nga minuta e parë Olivier Giroud, që ka kaluar problemet fizike që e shqetësonin.

Kundër skuadrës së drejtuar nga Tudor, mund të rikthehet edhe Zlatan Ibrahimovic, që të mërkurën do të fillojë të stërvitet me grupin.

Lajme të mira vijnë edhe nga Davide Calabria, që e ka lënë pas krahëve dëmtimin që e detyroi të largohej nga grumbullimi i skuadrës kombëtare, dhe të shtunën do të jetë në dispozicion të Piolit.

Në skuadrat kombëtare respektive, kuqezinjtë kanë lënë shenjën e tyre dhe vijnë në Milano me moral të lartë: Tomori riveshi fanellën e Anglisë pas dy viteve, Leao dha një asist me Portugalinë, Saelemeakers luan rregullisht me Belgjikën, Theo Hernandez bëri për vete Francën me golin e shënuar në Nations League, ndërsa Kjaer është futur në listën e kandidatëve për Topin e Artë.

Shumë shpejt në dispozicion të Piolit pritet që të rikthehen edhe Krunic dhe Bakayoko. I vetmi lajm i keq në kampin kuqezi, ka të bëjë me Messias, që pasi debutoi me fanellën e Milanit në Bergamo, pëson një tjetër dëmtim. /Oversport.tv