Qeveria kërkon mbylljen e stadiumeve, futbolli protestë në Holandë

Rritja e vazhdueshme e rasteve të kontaminuara pozitiv me Coronavirus, dhe të gjithë llojet e mutacioneve apo varianteve të tij, ka bërë që Holanda të shkojë drejt një tjetër faze mbylljeje. Për fat të keq, një ndër aspektet kryesore që mendohet që në krye të herës të pësojë këtë bllokadë, është sporti dhe futbolli veçanërisht. Së fundmi, në Holandë është duke qarkulluar ideja se qeveria do të propozojë dhe vendosë mbylljen e stadiumeve për të paktën 3 javë.

“Po ndjekim me shumë shqetësim masat e reja që planifikohen nga qeveria. Është shumë zhgënjyese që qeveria nuk po gjen se cilat janë realisht burimet e shpërndarjes së infeksionit. Nuk janë nëpër stadiume, siç është thënë shumë herë. Ka varfëri të madhe në politikë dhe zgjidhjet e vërteta që duhen dhënë”, shkruhej në një deklaratë të ashpër lëshuar nga Federata Holandeze e Futbollit.

“Kemi investuar mijëra e miliona Euro për të bërë të mundur që tifozët të mos jenë burim shpërndarjeje i infeksionit dhe shumë ndeshje janë luajtur me kontroll të rreptë për spektatorët. Në asnjë rast nuk është vërtetuar që tifozët janë shpërndarës masiv të virusit. Kemi bashkëpunuar intensivisht me laboratorët dhe kemi bërë të mundur edhe testime në grupe të rëndësishme tifozësh”, vijon ankesa e federatës.

Sipas mediave në Holandë, një dëm të madh për këtë do të pësojnë jo vetëm klubet, por mund ta pësojë edhe vetë përfaqësuesja e “Tulipanëve” në rast se masat do të ashpërsohen për një periudhë të gjatë. Një lajm, i tillë, nëse do të shkojë drejt vendimit për mbyllje, mund të rrezikojë një efekt zinxhir në të tjera shtete europiane. /oversport.tv