Kimi Raikkonen nuk do të marrë pjesë në Çmimin e Madh të Holandës, pasi ka rezultuar pozitiv me Coronavirus. Piloti finlandez nuk mund të garojë në pistën e Zandvoort.
Ka qënë skuadra Alfa Romeo, ajo që ka zyrtarizuar lajmin duke treguar se Robert Kubica do ta zëvendësojë finlandezin në pistë të dielën e 5 shtatorit.
Sipas asaj që raporton skuadra italiane, Raikkonen është në gjendje shumë të mirë shëndetsore dhe ka hyrë në izolim në hotelin ku qëndron, sapo ka marrë përgjigjen e rezultatit të testit të fundit. Nga të dhënat e para nuk ka probleme për ata persona që kanë qënë në kontakt me pilotin gjatë orëve të fundit.
Në vend të tij në Çmimin e Madh të Hollandës do të garojë Robert Kubica. Polaku është piloti rezervë i skuadrës që nga sezoni i kaluar.
Kubica është një veteran në Formula 1. Ai ka zhvilluar 97 gara me tre skuadra (Bmw Sauber, Renault dhe Williams), madje ka fituar një Çmim të Madh dhe ka zënë një vend në podium në 12 raste. /Oversport.tv