Raiola bën gati faturën e majme, shifra të çmendura për Haaland te PSG

Mino Raiola po tenton të bëjë “gol” me Erling Haaland, goleadorin që po çmend Europën me shifrat e tij te Borussia Dortmund. 68 gola në 67 ndeshje tregojnë që kemi bëjmë me një nga më të mirët që të garanton sukses për vite me radhë, pasi është vetëm 21 vjeç.

Dortmund refuzoi ta shiste për 120 milion euro në verë dhe tani mund ta humbasë me 75 milion euro, aq sa i bëhet klauzola e lirimit me hapjen e merkatos për sezonin e ardhshëm futbollisitik. Këtu futet në lojë Raiola, i cili kërkon të përfitojë maksimalisht.

Çmimi i Haaland në treg është të paktën sa dyfishi i klauzolës dhe sipas Gazzetta dello Sport PSG e do norvegjezin për të zëvendësuar Kylian Mbappe, i cili pritet që sezonin e ardhshëm të transferohet te Real Madrid.

Në kushtet kur PSG do paguajë nën vlerë për Haaland, Raiola sipas gazetës italiane do të kërkojë 50 milion euro pagë për sulmuesin dhe normalisht edhe komisionin e tij, që me gjasa nuk do të jetë i vogël. Më parë ai i ka arkëtuar 15 milion euro kur e transferoi te Borussia Dortmund, nga austriakët e RB Salzburg. / oversport.tv