Raiola plas “bombat”: Romagnoli te Juventus, por De Ligt mund të largohet

Mino Raiola ka lëshuar disa mesazhe të forta dhe iu bën presion skuadrave të Milanit dhe Juventusit për dy mbrojtësit Alessio Romagnoli dhe Matthijs De Ligt. Menaxheri i njohur i të dy futbollistëve duket se nuk është shumë i kënaqur me aktivizimet e pakëta të tyre në këtë fillim sezoni dhe me deklaratat e bëra për “Rai”-n kërkon të vërë disi në lëvizje drejtuesit.

Ai thotë se Romagnoli mund të luajë në skuadrën e Juventusit sezonin e ardhshëm sepse është në skadencë kontrate, por alarmon “Zonjën” se De Ligt mund të largohet në merkaton e verës. “Ata janë dy nga mbrojtësit më të fortë në Europë.

De Ligt ka një kontratë me Juven, ndërsa Romagnolit i skadon në vitin e ardhshëm. Mendoj se edhe mund të luajnë të dy te skuadra e Juventusit sezonin që vjen. Por kujdes, ndoshta De Ligt mund të lërë Juventusin në fundin e këtij sezoni. Merkato kështu funksionon”, ka thënë menaxheri.

Një ditë më parë u publikuan nga mediat italiane të tjera deklarata të Raiolës për Donnarummën dhe Pogbanë. Ai tha se lëvizja e portierit drejt PSG-së ishte zgjedhje për karrierën, ndërsa mesfushori francez mund të transferohet te bardhezinjtë./Oversport.tv