Raiola sulmon Milanin: Klubi e di të vërtetën, pse nuk reagon?

Nëse Gigio Donnarumma përmes rrjeteve të tij sociale e anashkaloi stuhinë e fishkëllimave që iu rezervua në rikthimin e tij në “San Siro” pas largimit nga Milani, ka menduar agjenti i tij Mino Raiola për të sulmuar klubin kuqezi dhe ata që ishin në stadium dhe kishin në shënjestër portierin e PSG-së.

“Nuk më pëlqyen farë fishkëllimat ndaj Gigios dhe tani pyes veten se përse Milani nuk ndërhyri zyrtarisht për të mbajtur distancë nga këto kontestime, për ta mbrojtur në një farë mënyrë”, ka thënë agjenti i famshëm në një intervistë për “Corriere dello Sport”.

Portieri u kontestua shumë si në prag të ndeshjes kundër Spanjës, edhe gjatë gjithë takimit që u luajt në “San Siro”.

“Ishte e turpshme, e trishtë dhe e çuditshme ajo që ndodhi në stadium të mërkurën. Kush ishte faji i tij? Gigio është një djalë që ka dhënë gjithçka si në skuadrën kombëtare, edhe tek Milani, ku qëndroi besnik në momentet më të errëta dhe të vështira të klubit.

Ai luajti me zemër, përkushtim dhe profesionalizëm deri në ditën e fundit, duke kontribuar në rikthimin e skuadrës në Champions. Më duket e çuditshme dhe zhgënjyese që Milani, duke e ditur të vërtetën, nuk mbajti qëndrim nga kjo sjellje e papranueshme dhe e padrejtë.

E vërteta është se Milani nuk dinte ose nuk kishte mundësi ta mbante”, ka përfunduar Mino Raiola. /Oversport.tv