Ramadani: Ndeshje pa shpirt, nuk e kam parë ekipin tim kështu më parë

Për Zekirija Ramadani ndeshja përballë Teutës ishte sfida më e dobët që Egnatia ka zhvilluar nën drejtimin e tij. Këtë gjë e pranoi vetë trajneri i cili komentoi pas sfidës për Supersport.

“Ndryshuan në pjesën e dytë. Ishte një ndeshje pa shpirt, pa ndërgjegje nga futbollistët. Duhet të luajnë për veten dhe të mbajnë ekipin në nivel. Duhet të jemi gati për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, në “play out”-it. Shumë ekipe kanë dështuar në këtë aspekt, ndaj duhet të marrim masa. Duhet të japim maksimumin, pavarësisht rezultatit. Nuk e kam parë ekipin tim si sot”.

PËRGJEGJËSIA- “Ndonjëherë edhe për gabime e humb ndeshjen, por edhe për meritën e kundërshtarit. Ne ishim përgatitur që ta mbanim sa më gjatë 0-0 dhe të mundoheshim me kundërsulme të ishim të rrezikshëm, përkundrazi pësuam gola, mungesë përqendrimi. Nuk kanë faj vetëm futbollistët, edhe ne që nuk arritëm ndoshta ta motivonim skuadrën. Do të ndryshojmë në ndeshjet e ardhshme”.

FAKTORËT QË NDIKOJNË- “Bëmë një ndeshje të mirë kundër Kastriotit, por e humbëm. Nga ai takim, ekipi është dëshpëruar, ndoshta ngaqë kemi pasur pritshmëri. Mundohemi ta relaksojmë ekipin, por ndikon lodhja. Ajo ndeshje ndikoi edhe në aspektin psikologjik”. /oversport.tv