Rangnick: Martial më ka thënë se do të largohet, presim ofertat

Anthony Martial ka theksuar disa herë se kërkon që të largohet nga Manchester United. Kësaj radhe është trajneri i “djajve të kuq”, Ralf Rangnick, që ka folur për këtë çështje në prag të sfidës së sotme në Premier League kundër Newcastle.

“Martial më ka shpjeguar se ka 7 vite që ndodhet tek Manchester United dhe se tashmë ka ardhur momenti që ai të provojë një aventurë të re me një kub tjetër”, ka sqaruar tekniku gjerman.

Por për sulmuesin francez, që këtë sezon ka luajtur vetëm 10 ndeshje me United dhe ka shënuar vetëm një gol, duket se nuk ka oferta konkrete, ndonëse në ditët e fundit është folur për një interesim të Juventusit.

“Është e rëndësishme që të shohim edhe gjendjen e klubit. Është covidi dhe jemi të impenjuar në tre kompeticione dhe tek të gjitha kemi ambicie të mëdha. Derisa të vijë oferta, do të qëndrojë me ne”, ka përfunduar Rangnick. / Oversport.tv