Reali fluturon i qetë në krye, Benzema dhe Vinicius mposhtin Valencian

Poker i Real Madridit ndaj Valencia që e mposhti në Santiago Bernabeu me rezultatin e thellë 4-1. Ekipi i Ancelottit zhvilloi një ndeshje pothuajse perfekte duke mos e vënë në dyshim asnjë moment tre pikëshin në këtë takim.

Ishte Karim Benzema që hapi siparin e golave falë një 11-metërshi shumë të kontestuar nga ekipi i Valencias. Ndërkohë që Vinicius Junior dyfishoi dhe më pas trefishoi rezultatin falë një dygolëshi në pjesën e dytë.

Guedes krijoi idenë se ndeshja u rihap pasi shënoi në minutën e 76. Portugezi humbi fillimisht një 11-metërsh, por topi u rikthye prap tek ai, duke shënuar me kokë.

Gjithçka e vulosi ai që hapi siparin e golave, Karim Benzema duke shënuar rezultatin final në tabelë në 4-1. Kështu, Reali ngjitet në kuotën e 49 pikëve, 8 më shumë se Sevilla e vendit të dytë, por që ka edhe dy ndeshje për të rikuperuar. /oversport.tv

LALIGA – Java 20
Real Madrid- Valencia 4-1
Shënues:
Benzema (pen) 43’, 88’, Vinicius 52’, 61’ / Guedes 76’