Reali nuk vdes kurrë, përmbys Sevillan dhe i afrohet titullit kampion

Reali i Madridit nuk vdes kurrë. Skuadra e Ancelottit ka bërë një tjetër përmbysje të madhe, kësaj radhe në “Ramón Sánchez Pizjuán” përballë Sevillas, duke fituar 3-2 një ndeshje të çmendur.

Sevilla nuk arrin që të rihapë kampionatin, ndonëse mbylli në avantazh të dyfishtë fraksionin e parë të lojës. Madrilenët reagojnë në pjesën e dytë, duke vulosur përmbysjen e madhe me të zakonshmin Benzema në kohën shtesë.

Pas këtij suksesi Reali ngjitet në kuotën e 75 pikë në renditje (diferenca me ndjekësit më të afërt aktualisht është 15 pikë) dhe kur kanë mbetur edhe 6-të javë nga përfundimi i kampionatit, duket se madrilenët po shkojnë drejt titullit të radhës në LaLiga.

Sevilla luan më mirë në pjesën e parë dhe e mbyll në avantazh të dyfishtë falë golave të shënuar nga Rakitic dhe Lamela. Reali reagon në pjesën e dytë. Rodrygo ngushton diferencat, Nacho barazon shifrat, ndërsa Benzema vulos një fitore të madhe. Pas 100 minutash lojë, mbyllet një ndeshje shumë e bukur në “Ramón Sánchez Pizjuán”.

Pas tre rezultateve pozitive radhazi në kampionat, Athletic Club mposhtet në shtëpi nga Celta Vigo. Skuadra galiciane rikthehet tek suksesi, duke triumfuar 0-2 në “San Mamés”. Aspas dhe Beltran vulosin fitoren e miqve me golat e shënuar që në pjesën e parë. / Oversport.tv

Foto: Real Madrid C.F. Twitter

Spanjë – LaLiga / Java e 32- të

Sevilla- Real Madrid 2-3

Rakitic 21’, Lamela 25’ / Rodrygo 50’, Nacho 83’, Benzema 90+2