Reali siguron vendin e parë, Leipzig mposht Shakhtarin dhe kualifikohet

Janë luajtur dy ndeshjet e fundit të grupit F të Champions League, që kanë përcaktuar emrat e skuadrave që do të vazhdojnë më tej aventurën e tyre në Europë.

Reali i Madridit nuk gabon në shtëpi, mposht me rezultatin e thellë 5-1 Celtic dhe siguron vendin e parë në grup (spanjollët e kishin siguruar më parë kualifikimin). Modric dhe Rodrygo tregohen të saktë nga pika e bardhë dhe kalojnë në avantazh të dyfishtë madrilenët brenda 21 minutave të para të sfidës, ndërsa Courtois pret një penallti që mund të rihapte ndeshjen.

Në pjesën e dytë Reali theĺlon avantazhin dhe shënon edhe tre gola të tjerë me Asensio, Vinicius Jr dhe Valverde, ndërsa Jota shënon golin e nderit për kampionët e Skocisë 6 minuta para perfundimit të takimit.

Leipzig fiton bindshëm 4-0 sfidën direkte përballë Shakhtar Donetsk dhe kualifikohet mes 16 më të mirave të Champions League. Nkunku zhbllokon ndeshjen në pjesën e parë, ndërsa në të dytën gjermanët shënojnë edhe 3 gola të tjerë.

Reali dhe Leipzig kualifikohen në turin tjetër, Shakhtar do të luajë në Europa League, ndërsa Celtic eliminohet nga Europa. Këto janë verdiktet e grupit F. /Oversport.tv