Reali synon të blindojë sulmin: Mbappe dhe Haaland në Madrid sezonin tjetër

Kanë mbetur edhe 42 ditë, pak më shumë se një muaj dhe më në fund Reali i Madridit mund të zyrtarizojë blerjen e Kylian Mbappé. Sipas rregullores mund ta bëjë që në 1 janar, por nuk do të ishte shumë etike, larg stilit të madrilenëve.

Klubi spanjoll do ta bëjë zyrtarizimin pak më vonë, ndoshta kur të japë pëlqimin vetë lojtari, që do ta bëjë sa më të lehtë qëndrimin e tij në Paris deri në qershor të vitit 2022.

Spanjollët dhe francezët kishin një marrëdhënie korrekte deri para një vit, ndërsa tashmë shkëmbejnë batuta sa herë që u jepet mundësia.

“Arritëm në një pikë ku ofruam 200 milion euro për një lojtar dhe nuk na e shitën. Ky është budallallëku i klubeve që drejtohen nga shtete”, deklaroi të mërkurën presidenti i Realit, Florentino Perez.

Mbappé do të pranojë ofertën e Realit të Madridit ku do të fitojë 25 milion euro neto në sezon, pak a shumë e njëjta shifër që PSG i ofronte për të qëndruar në Paris.

Haaland-Një rol të rëndësishëm në projektin e Realit do të ketë edhe Erling Haaland, që me shumë mundësi do të jetë qendërsulmuesi i të ardhmes i klubit spanjoll. 200 milionët që Perez kurseu për francezin, mund ti investojë verën e ardhshme për të blerë sulmuesin e Borussia Dortmundit.

Mjafton që të paguajë 75 milionët e prishjes së kontratës, që mund të shkojnë në 90 milion nëse sulmuesi do të arrijë bonuset që lidhen me paraqitjet e tij në fushë. Kësaj vlere do ti shtohen edhe disa dhjetëra milionë, që do të marrë agjenti i lojtarit, Mino Raiola si komision.

Një investim që kalon 100 milion eurot, pa marrë në konsideratë rrogën e Haaland, që me shumë mundësi do të jetë rreth 15 milion euro në sezon, pothuaj dyfishi i asaj që merr aktualisht te Dortmundi.

Me norvegjezin dhe francezin në sulm, Reali i Madridit mund të qëndrojë i qetë për këtë repart për të paktën një 10-vjeçar. /Oversport.tv