Reali zbret Levanten nga kategoria, Villarreal e Sociedad fitojnë për Europën

Real Madrid ka shkatërruar në javën e 36-të Levanten me rezultatin 6-0, e zbret një kategori më poshtë dhe tregon se është në një formë perfekte përpara finales së Champions League. Të besuarit e Ancelottit e transferuan sfidën në një “ndeshje stërvitore” pasi e dominuan takimin përgjatë 90 minutave.

Ferland Mendy nisi festën e golave në më pak se çerek ore lojë duke prishur edhe ekuilibrat. Gjashtë minuta më vonë i përhershmi Karim Benzema realizoi edhe golin e dytë të takimit, përpara se Rodrygo e Vinicius të mbyllnin pjesën e parë me një poker për Realin.

Në pjesën e dytë Reali kërkoi të menaxhonte energjitë, por me një Vinicius në superformë ia doli të realizonte edhe dy herë, duke plotësuar rezultatin tenistik 6-0. Sulmuesi brazilian plotësoi edhe tripletën e tij që vulosi edhe rezultatin final të takimit.

Më parë Real Sociedad mposhti në shtëpi me rezultatin e pastër 3-0 Cadiz. Sorloth i dha avantazhin vendasve në minutën e 19-të, gol ky që mjaftoi për të çuar ekipet në dhomat e zhveshjes në epërsinë minimale.

Megjithatë, Adnan Januzaj dyfishoi gjithçka me një 11-metërsh, përpara se po me penallti Portu do të vuloste rezultatin final të takimit në 3-0 duke dalë nga ky takim me pikë të plota.

I pandalshëm edhe Villarreal përballë Rayo Vallecanos të Ivan Balliut që triumfoi në transfertë me rezultatin e thellë 5-1. Pedraza prishi ekuilibrat, përpara se Guardiola të vinte baraspeshën provizore.

Më pas historinë e ndeshjes e shkroi vetëm “Nëndetësja e verdhë”, duke realizuar edhe katër gola të tjerë. Foyth, Alcacer e Torres plotësuan pokerin, ndërsa rezultati final u vulos nga ai që hapi gjithçka, Alfonso Pedraza.

Kështu me dy javë nga fundi i LaLigas, Sociedad qëndron në vendin e gjashtë në kuotën e 59 piëkve, vend ky që të çon në Europa League, ndërsa Villarreal ka tre pikë më pak dhe qëndron në vendin e shtatë që të çon në Conference League.

LALIGA – Java 36
Real Sociedad – Cadiz 3-0
Shënues:
Sorloth 19’, Januzaj (pen) 53’, Portu (pen) 90+8’

Rayo Vallecano – Villarreal 1-5
Shënues:
Guardiola 21’ / Pedraza 3’, 88’, Foyth 27’, Alcaser 38’, Torres 45+1’

Real Madrid – Levante 6-0
Shënues:
Mendy 13’, Benzema 19’, Rodrygo 34’, Vinicius 45’, 68’, 83′

Foto: Real Madrid C.F. Twitter