Kanë qenë 3 vite të gjata durimi për Isco te Real Madrid. Në vitin 2018 u duk se mundësia që spanjolli të zinte një vend titullari te Real Madrid nuk ekzistonte dhe prej asaj kohe situata e 29-vjeçarit te “Los Blancos” nuk është përmirësuar aspak, përkundrazi.
Më 21 nëntor, madrilenët fituan me rezultatin 4-1 ndaj Granadës, por Isco ishte i zhgënjyer nga zgjedhjet e teknikut Carlo Ancelotti, i cili zgjodhi të inkuadrojë në fushën e lojës Luka Jovic dhe Eduardo Camavingën, të cilët ishin në nxehje së bashku me të.
Isco u lajmërua që të vazhdonte nxehjen, por kjo e irritoi së tepërmi mesfushorin spanjoll, i cili refuzoi dhe u ul në stol.
Tekniku Italian pas pak minutash e përfshiu dhe mesfushorin në lojë, por që prej asaj dite ai nuk është lajmëruar më as që të kryej nxehjen gjatë ndeshjeve.
Isco nuk është i dëmtuar, pasi stërvitet rregullisht çdo ditë. Real Madrid luajti ndaj Sheriff Tiraspol, Sevilla dhe Athletic Bilbao, por 29-vjeçari nuk ka luajtur asnjë minutë gjatë gjithë kësaj kohe dhe siç duket është zgjedhja e fundit në mesfushë e teknikut italian Ancelotti.
Ky i fundit këmbënguli se nuk kishte asnjë problem me spanjollin pas ndeshjes me Granadën, por shtroi pikëpamjen e tij se Isco që ai ka në dispozicion tani nuk është asgjë në krahasim me Iscon që ai stërviti gjatë eksperiencës së tij të parë me “Los Merengues”. / oversport.tv