Polemika të shumta janë hapur jo vetëm në mediat turke, por edhe në ato botërore pasi kapiteni i Erzurumspor, Aykut Demir nuk pranoi të vishte bluzën që ishte kundër luftës në Ukrainë. Shoku i ekipit të Herolind Shalës refuzoi të vishte bluzën përpara sfidës kundër Ankaragucu.
Megjithatë, pas shumë polemikash të hapura, ai vendosi të shpjegonte edhe vendimin e tij. Në një intervistë për Fanatik Demir tha se ndihej keq për atë që po ndodh në Ukrainë, por kur luftat kanë ndodhur në lindjen e mesme, asgjë nuk është bërë.
“Çdo ditë vdesin mijëra njerëz në Lindjen e Mesme. Edhe unë ndihem keq dhe ndaj dhimbjen e të pafajshmëve, por ata që e injorojnë këtë persekutim tani po mobilizohen sepse e njëjta gjë po ndodh në Europë. Nuk më pëlqen ta vesh atë bluzë, sepse e njëjta gjë nuk është bërë për vendet e tjera”. /oversport.tv
Foto: BB Erzurumspor Twitter