Reja: Bëmë gabime që nuk duheshin, nuk e meritonim humbjen. Tifozë, faleminderit

Edy Reja, trajneri i Shqipërisë, pas humbjes së pësuar me Poloninë tha në RTSH: “Mund ta kishim marrë barazimin, nëse do ishim më të kujdesshëm. Më vjen keq sepse luajtëm mirë. Pati dëshirë, treguam se mund të përballemi me Poloninë. Pas zëvendësimeve bëmë disa gabime dhe në një prej tyre e pësuam. Më vjen keq, sepse mund ta merrnim barazimin”.

“Djemtë meritonin të mos humbnin. Kjo është skuadra, kisha 16 lojtarë. Normalisht mungesat ishin shumë. Kam besim te lojtarët, kisha besim te paraqitja e mirë e tyre. Polonia është e fortë dhe është e vështirë t’i çash. Pësuam gol prej një gabimi dhe bëmë edhe të tjera më pas”.

“Bëmë disa gabime, që nuk duhen bërë. Ne morëm direkt të verdhë me Hysajn, arbitri nuk u jepte atyre. Me Poloninë kemi humbur shumë prej gjykimit, edhe pse nuk ishte vendimtar. Patëm disa probleme, Bare u dëmtua dhe futa Çokajn. Ishte moment i vështirë. Nëse  nuk do bënim atë gabim, do ishte ndryshe.

“Është e drejtë të shpresojmë, pasi jemi ende në lojë. Luajtëm si të barabartë. Tifozët ishin të shkëlqyeshëm. Është e vështirë të gjesh në Europë një ambient të tillë. Ishte atmosferë fantastike. Djemtë e ndjenë ngrohtësinë e tifozëve dhe dua t’i falënderoj për mbështetjen”. / oversport.tv