Reja dorëzohet: Kjo Angli nuk përballohet, tani të ruajmë vendin e tretë

Edy Reja, pas humbjes kundër Anglisë me rezultatin 0-5, foli për RTSH: “Bëmë gabime, sidomos me topin e parë. Gabuam te goli i parë, te goditja e këndit. Kur Anglia vjen me këtë forcë fizike, është e vështirë ta përballosh.  Edhe te goli i dytë gabuam, por duhet t’i japim merita kundërshtarit.

Në pjesën e parë nuk ishim në fushë. Do kisha dashur të kisha shënuar një gol. Aktivizova disa lojtarë në pjesën e dytë, u përpoqëm. Më vjen keq për dëmtimet, pasi mund të kisha bërë ndonjë ndryshim më tepër”, tha fillimisht Reja.

“Duhet ta komplimentojmë Anglinë. Mund të jetë një nga momentet më të këqija për mua në karrierë, pjesa e parë. Pësuam 5 gola dhe nuk kishim mundësi ta kontrollonim situatën, na vinin nga të gjitha krahët. Mënyra si i rinisnin sulmet ishte e frikshme.

Nuk mund t’i them asgjë lojtarëve, pasi kur përballesh me ekipe të tilla është e vështirë. Do kisha dashur të mos pësonim kaq shumë. Ishin superiore ndaj nesh fizikisht. Ndoshta nuk duhet të kishim bërë aq lart presing”.

“Duam të dalim të tretët dhe nuk duam ta humbim rastin. Kemi mungesa, por kemi 23 lojtarë dhe do luajnë të tjerët që nuk kanë luajtur. Do mundohemi të bëjmë një ndeshje të mirë kundër Andorrës”, përfundoi Reja. / oversport.tv