Reja: Këtë herë do jetë ndryshe me Hungarinë! Le të ëndërrojmë ende

Edy Reja është rikthyer të flasë edhe një herë për duelin me Hungarinë dhe kualifikueset e “Katar 2022”. Italiani doli para mediave në sallën e konferencave të stadiumit “Puscas Arena”, ku Shqipëria përballet nesër me hungarezët prej orës 20:45.

Reja fillimisht deklaroi: “Dua të vazhdojmë të mbajmë gjallë ëndrrën e madhe për të mbajtur vendin e dytë. E kam thënë që për ne janë të gjitha finale. Nëse humbasim dalim jashtë objektivave. E dimë forcën e Hungarisë, por bazohemi te fakti që po kalojmë një moment të mirë dhe lojtarët kanë besim te vetja. Jemi këtu për të bërë një ndeshje të madhe. Kështu arrihet edhe vendi i dytë”.

“Kam disa dyshime për formacionin. Kam 24 lojtarë në dispozicion dhe do vendos nesër, pas seancës së sotme. Duhet të shoh gjendjen e lojtarëve, të shoh kush ka formën fizike më të mirë. E rëndësishme është të japin maksimumin të gjithë ata që aktivizohen”.

“Duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi dhe të jemi të aftë të ndryshojmë mënyrën e lojës, duke iu përshtatur kundërshtarit. Do jetë ndryshe nga ndeshja e parë, sikurse edhe taktikisht. Kam një përshtypje që e si do luajnë, duke e njohur trajnerin e tyre. Ata nuk do të kundërsulmojnë, por do tentojnë të na vënë në presion. Nëse luajnë në sulm, do mundohemi të shfrytëzojmë momentet kur ata të mos jenë në ekuilibër”.

“Uroj të bëj zgjedhjen e duhur me Bajramin. Ai ka aftësi të mira teknike, por ekipi duhet të ketë ekuilibër në çdo repart. Duhet të jemi gati të kundërsulmojmë. Nuk kam vendosur ende kush do të luajë aty, nesër e ndaj mendjen”.

“Përballen dy ekipe të organizuara, kush shënon pastaj do të mbrojë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Uroj ta shënojmë ne golin të parët. Mbase ndodh kështu. Hungaria apo Polonia? Gjithmonë më e forta është ndeshja e radhës. Shpresoj të bëjmë një ndeshje të mirë. Mendojmë për Hungarinë, është vendimtare dhe shpresoj të marrim rezultat pozitiv. Pastaj mendojmë për Poloninë”. /oversport.tv