Reja: Na “mallkuan”, tani do flisnim ndryshe! Gati të firmos rinovimin

Keqardhja e Edy Reja është e madhe, sidomos për mungesat që pati Shqipëria kundër Polonisë. Trajneri italian i kombëtares është i bindur se nëse do të kishin qenë të plotë në atë duel, atëherë kuqezinjtë do të shkonin në “play-off”.

Tekniku i kombëtares shqiptare, në deklaratën e dhënë për RTSh pas ndeshjes më Andorrën, foli edhe për çështjen e rinovimit të kontratës. Në fillim italiani u ndal te fitorja në “Air Albania” ndaj Andorrës:

“Mes dëmtimeve dhe Covid-19 kanë qenë tre ndeshje të vështira, dukej si mallkim. E dinim se do të ishte e vështirë me Andorrën. Kishim ndryshuar më shumë se gjysmën e skuadrës. E dija që do kishim probleme po të mos realizonim dot në fillim.

Nuk ia dolëm dhe e vuajtëm deri në fund. E rëndësishme është qe jemi rritur dhe kemi marrë rezultate gjatë këtyre kualifikueseve. Ndodhën shumë gjëra në tre ndeshje, dukej sikur na kishin mallkuar. Humbëm 12 lojtarë prej problemeve”.

Më tej Reja shtoi: “Duhet të jemi të qartë për vlerësimet e lojtarëve të rinj. Kisha për detyrë të rinovojë grupin, kishim disa lojtarë në moshë. Duhet t’i zëvendësonim disa. Kam aktivizuar rreth 45 lojtarë këtë periudhë. Jam duke punuar për vitin 2024 dhe ky ka qenë objektivi im dhe i federatës.

Mund të buzëqeshim, pasi kemi të rinj të talentuar. Duhet krijuar grupi, ka lojtarë që nuk janë gati. Pas dy vitesh mund të jetë më i fortë e i pjekur, ndaj duhet të bëjmë zgjedhjet e duhura”.

Në lidhje me rinovimin e kontratës, Reja deklaroi: “Më kërkuan kontratë deri në 2024, por unë e kërkova vit pas viti. Nëse ka akord, jam gati të vazhdoj. Unë jam i kënaqur këtu. Nëse do kishim qenë të plotë me Poloninë do të ishim duke festuar kalimin në play-off.

Do kishte qenë histori krejt tjetër, jam i bindur që mund të fitonim. I kemi shanset të shkojmë në Europian, por varet nga shorti. Skuadra është rritur. Me grupin e plotë kjo skuadër mund të arrijë shumë në të ardhmen”. / oversport.tv