Reja: Peng ndeshja me Poloninë, Xhaka braktisi Shqipërinë

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, ka dalë në konferencën e parë për shtyp, në prag të ndeshjeve të fundit kualifikuese të Kupës së Botës, që skuadra kuqezi do të zhvillojë kundër Anglisë dhe Andorrës.

Kuqezinjtë do të luajnë në “Wembley” në 12 nëntor përballë Anglisë, ndërsa 3 ditë më vonë, në 15 nëntor do të luajnë në “Air Albania” kundër Andorrës. Tekniku ka folur për gjendjen e lojtarëve dhe objektivat e skuadrës në këto dy takime.

“Objektivat tanë janë gjithmonë njësoj, të luajmë sa më mirë. Humbja me Poloninë komprometoi mundësitë për kualifikim, por matematikisht jemi në lojë dhe do të luajmë të gjitha shanset tona në këto dy sfida. Do të shkojmë në “Wembley” që të luajmë shanset tona, duke kërkuar maksimumin. Dihet që përballë kemi një kundërshtar të vështirë, por në Angli do të bëjmë ndeshjen tonë.

Mungesat e Balliut dhe Manajt? Manaj nuk është shumë mirë fizikisht dhe ka luajtur shumë pak këtë periudhë, prandaj nuk e kam grumbulluar. Ndërsa Balliu ka një shqetësim fizik, me muskuj e barkut dhe sa herë që ka pushim arrin që të rikuperojë.

Herën e kaluar e mora që ta shikoja, dhe doja ta shihja se çfarë do të më ofronte për të ardhmen. Ka qenë i pafat, sepse do të luante këtë ndeshje, por nuk mund ta shoh dot. Janë mungesa që na kondicionojnë, ashtu si Gjimshiti dhe Abrashi, por nuk po kalojnë momentin e tyre më të mirë fizikisht.

Lojtarët duhet të japin maksimumin në të dyja ndeshjet, sepse ne duam që të marrim sa më shumë pikë që të jetë e mundur. Në fund të eliminatoreve do të bëjmë analizën. Jemi paraqitur mirë në këtë fushatë eliminatore, por më vjen keq për rezultatin kundër ndeshjes Polonisë, sepse mund të kishim marrë më shumë pikë.

Në ndeshjen më të rëndësishme të Shqipërisë, nuk kisha mundësinë që të hidhja në fushë lojtarët më të mirë, prej pandemisë dhe dëmtimeve. Nuk kisha mundësi që të bëja ndryshime, që të mund të freskoja skuadrën.

U zhgënjeva për shkak të rezultatit, por jo me paraqitjen. Po të kishim barazuar kundër Polonisë do të ishim akoma në lojë, ndërsa tani është gjithçka e vështirë për tu kualifikuar. Matematika na lejon të besojmë, prandaj do të luajmë duke synuar maksimumin, si në Angli edhe përballë Andorrës. Të shpresojmë që edhe Hungaria të na ndihmojë, duke ndalur Poloninë.

Skuadra është rritur dhe është konkurruese, edhe me Poloninë, kjo gjë më kënaq. Fituam 2 ndeshje me Hungarinë, që bëri një Europian shumë të mirë. Nëse arrijmë 18 pikë do të kënaqesha, por më vjen keq që nuk kemi mundësinë për të shkuar në Botëror, sepse me atë që kemi treguar në fushë e kemi merituar.

Edhe ndeshjet kundër Polonisë i kanë vendosur vetëm disa episode. Kemi treguar se përballemi denjësisht me të gjithë, por tani duhet të përmirësohemi. Sepse në këto nivele nuk duhet të gabosh. Më vjen keq, po të ishim të plotë kundër Polonisë jam i bindur që nuk do të humbisnim, madje mund të fitonim.

Kjo gjë më ka mbetur peng. Dukej e pamundur, por arritëm të ishim në garë për tu kualifikuar. Edhe djemtë kanë fituar besim dhe e kuptojnë që mund të konkurrojnë si të barabartë me të gjithë.

Berisha dhe Strakosha nuk po luajnë titullarë? Jam i qetë sepse portierët punojnë shumë mirë në kombëtare, ndonëse nuk luajnë me klubet. Skam patur asnjëherë probleme me portierët dhe rendimenti i tyre është shumë i mirë.

Kemi patur probleme në mbrojtje, por jo në portë. Ose dikur në sulm, kur na kritikonin se po shënonim pak. E gjithë skuadra po rritet, por portierët nuk kanë qenë asnjëherë problem. Jemi rritur në planin mbrojtës, ndalëm pa problem një lojtar si Lewandowski, edhe në mesfushë dhe në sulm jemi rritur.

Sigurisht që në çdo repart ka vend për përmirësime. Selmani sa herë që është thirrur, ka treguar se është në formë dhe në gjendje të zëvendësojë. Jemi të qetë përsa i përket portës. Edhe Hoxha, që ka qenë gjithmonë si portier i tretë, ka treguar se është i gatshëm sa herë që ka qenë nevoja për të ndihmuar skuadrën. Portierët kanë pranuar të qëndrojnë në stol ose tribunë dhe sa herë që kanë zbritur në fushë kanë dhënë më të mirën.

Gjimshiti është një mbrojtës shumë i mirë dhe mungesa e tij do të ndihet. Një nga mbrojtësit më të mirë në qarkullim. Kumbulla ka luajtur shumë mirë me kombëtaren, ndërsa te Roma, po has vështirësi, sepse është një ambient i vështirë, që ka shumë kritika. Unë e kam thënë edhe në një intervistë, pas ndeshjes kundër Polonisë, që duhet të ketë më shumë hapësira me klubin. Kritikat i bëjnë mirë. Cilësitë i ka, duhet të fitojë pak vetëbesim dhe të jetë i qetë. Sigurisht që duhet të përmirësohet nga ana karakteriale. Tek ne ka besim dhe luan shumë mirë.

Detyra ime ishte që në vitin 2024 të kemi një skuadër kompetitive, që të mund të shkojë në Europian. Po shoh shumë të rinj që kanë bërë mirë. Do ta shoh me vonë, ndërsa deri tani kam ruajtur të njëjtin grup. I vetmi që është shtuar ka qenë Broja, ndërsa tani kam marrë edhe Muçin.

Avash avash do të bëjmë edhe disa ndryshime. Kam vlerësuar Dokën apo Balliun dhe po shoh, kush do të jenë kandidatët për të luajtur për të ardhmen. Por vetëm 24 lojtarë mund të grumbulloj, edhe për ndeshjen kundër Anglisë nuk di kë të lë në tribunë, sepse të gjithë duan që të luajnë në një ndeshje kaq të rëndësishme. Pres shumë nga të rinjtë, por tani nuk kam ndërmend të bëj eksperimente në këto 2 ndeshje të mbetura.

Xhaka? Xhaka thotë gënjeshtra, por ai po tallet me të gjithë ne. Një herë nuk e kam grumbulluar, por më pas ka refuzuar gjithmonë. Ai thoshte që nuk jam mirë, por ndërkohë luante me klubin. Balliu do të vijë, por më tha pse nuk po vjen këtë herë për këtë problem shëndetësor. Është një situatë krejt tjetër.

Xhaka nuk ka qenë i ndershëm me Shqipërinë dhe me mua, sepse i kemi çuar ftesë gjithmonë, por nuk vinte sepse pretendonte se ishte i dëmtuar. Unë nuk braktis asnjë, ndërsa ai braktisi Shqipërinë. Ta sqarojmë këtë gjë, njëherë e mirë”, ka thënë Reja. /Oversport.tv