Edy Reja, trajneri i Shqipërisë, në prag të duelit me San Marinon ka dalë para mediave dhe ka folur për rëndësinë e këtyre tre pikëve dhe për shumë tema të tjera.
“Jam dakord me ju, ka ndodhur shpesh që pas fitoreve edhe karikimi është i madh dhe mund t’i marrim lehtë ndeshjet. Me San Marinon do jetë e vështirë, nuk e nënvlerësojmë. Pavarësisht rezultateve, janë të vështirë dhe të organizuar.
Duhet fryma e duhur dhe motivimi i duhur, si dhe të kemi kujdes nga kundërsulmet e tyre. Nuk është e lehtë, por është ndeshja vendimtare. Nuk mendoj për asnjë ndeshje tjetër. Nëse fitojmë, duke pasur parasysh që Polonia luan me Anglinë dhe besojmë se do ndalet, kalojmë në vendin e dytë”.
“Kemi konkurrencë të fortë në grup. Hungarinë e keni parë, edhe Polonia është e fortë. Kanë kualitete shumë. Kemi treguar kohët e fundit që jemi rritur, e bëmë me Uellsin dhe Çekinë. Çelësi është ndryshimi i mentalitetit, bëjmë pressing lart. Sulmuesi është mbrojtësi ynë i parë dhe jemi më kompakt dhe skuadër më e pjekur”.
“Kemi gabuar në ndeshjet e fundit dhe duhet të korrigjohemi. Duhet përqendrimi i duhur. Nëse vazhdojmë kështu, do luajmë shanset tona për kualifikim. Polonia është pak më lart, por me organizimin e duhur mund të bëjmë gjëra të mira”.
“Më intereson të përmirësohemi, siç kemi bërë së fundmi. Skuadra ka më shumë siguri në fushë. Pas një viti kemi krijuar një mënyrë loje, një identitet. Kemi integruar edhe lojtarë të rinj, po krijojmë një bosht me kombëtaren. Nuk e di ku mund të arrijmë. Të mbarojmë kualifikueset dhe pastaj të analizojmë gjithçka”.
“Kemi dy lojtarë që na mungojnë, Abrashi dhe Gjasula i pezulluar. Nuk do ndryshojmë shumë. Do pres deri nesër për të parë gjendjen e lojtarëve, pasi kanë pasur disa probleme. Po i vëzhgojmë dhe do vendosim. Rikthimet do na japin një dorë”.
“Duhet që ata që luajnë të jenë vendimtar, sikurse edhe nga stoli. E bëri Broja. Kushdo që luan, pavarësisht sa, të japë maksimumin. Normalisht janë disa ndeshje në disa ditë dhe ka lodhje. Shpresoj që lojtarët të jenë sa më të karikuar ndaj San Marinos”.
“Sulmi? Uroj të kemi probleme të tilla, që të ketë lojtarë në formë dhe të shumtë. Uroj të bëj zgjedhjet e duhura. Kur ke 3 ndeshje në 7 ditë ka mundësi të gjithë. Do shohim gjendjen e Balajt dhe Cikalleshit, por kemi edhe Manajn, Uzunin e Brojën”.
“Kemi provuar edhe me Bajramin e Baren në fushë, me mesfushë me 3 ose 4 lojtarë. Me Hungarinë praktikisht luajtëm me tre sulmues dhe patëm ekuilibrin e duhur. Mendoj se pjesa e sulmit sakrifikoi shumë për mbrojtjen. Balaj e bëri, edhe Uzuni njëlloj. Nuk më pëlqejnë sulmuesit statitikë. Kemi nevojë për lojtarë që janë të lëvizshëm në sulm, që na japin një dorë edhe në mesfushë”.
“Për të marrë pikët duhet të bëjmë ndeshje të madhe. Polonia dhe Anglia janë shumë më të forta dhe kanë fituar me goleada. Më interesojnë tre pikët,jo shumë loja. Nuk e marrim lehtë, e vlerësojmë San Marinon. Jemi të favorizuar në letër dhe kjo dihet. E mbani mend që nuk ishte e lehtë me ta në ndeshjen e parë. Duhet organizim i mirë dhe të mendojmë të marrim tre pikët”. / oversport.tv