Rekord golash në javën e parë të Superiores, cilat janë arsyet e shpërthimit

Java e parë e Kategorisë Superiore nisi me emër të ri (tani quhet Abissnet Superiore), me tifozë (u rikthyen pas pandemisë), me VAR (për herë të parë në histori) dhe mbi të gjitha me shumë gola. Kurrë më parë në 10 vitet e fundit të kampionatit shqiptar nuk ishin shënuar kaq gola në javën e parë. Në 5 duelet e para që i dhanë jetë edicionit të 83-të janë shënuar 21 gola, mesatarisht 4.2 gola për ndeshje.

Për të gjetur një shifër kaq të lartë golash në javën e parë të Superiores duhet të rikthehemi 10 vite në kohë. Në sezonin 2011-2012 u shënuan 21 gola, por me ndryshimin që në atë kohë ishin 14 ekipe në elitën e futbollit shqiptar. Në 7 ndeshjet e luajtura në atë kohë u prodhuan mesatarisht 3 gola për ndeshje.

Sezoni i dytë me më shumë gola në javën e parë është ai 2014-2015, me 12 gola, ndërsa nisja më e dobët për aspektin e golave ka qenë sezoni 2016-2017, ku në 5 ndeshje u shënuan vetëm 4 gola.  Por pse ka ndodhur ky ndryshim në këtë sezon?

VAR – Sigurisht që prezenca e VAR-it është një arsye. Në dy ndeshje u akorduan 11-metërsha falë teknologjisë, Teuta-Partizani dhe Laçi-Vllaznia.

TRAJNERËT – Filozofia e trajnerëve nuk është më ajo e shkollës së vjetër, që qëndrojnë në mbrojtje. Në Superiore ka trajnerë të rinj, të cilët prodhojnë futboll sulmues dhe kërkojnë me ngulm që ekipet e tyre të zotërojnë topin dhe të dalin me logjikë në sulm.

CILËSIA– Skuadrat kanë investuar shumë për të bërë organika kompetitive dhe me futbollistë cilësorë. Kjo gjë sigurisht që do të reflektohet edhe në fushën e lojës. Tirana riktheu goleadorin e sezonit të titullit, Michael Ngoo, por ka edhe futbollistë si Seferi e Xhixha. Partizani bëri bujë me Ergys Kaçen, por edhe me rikthimin e Malës, ndërsa Teuta kampione u forcua me Kallakun dhe Vllaznia me Latifin.

Pa harruar Dinamon, që bëri goditjen e madhe me Ibraimin dhe Chinedu, autor i dy golave që në debutim. Te Laçi rikthyen Saliou Guindo, ndërsa Zarubica kundër Vllaznisë realizo dy herë. Te Vllaznia spikasin Latifi, Aralica dhe Kaina, të tre shënues në ndeshjen kundër Laçit.

TERRENET – Në krahasim me vitet e kaluara janë përmirësuar edhe fushat e stadiumeve. Kjo gjë shton cilësinë e futbollit të luajtur, nxjerr në pah vlerat e futbollistëve dhe sjell gola.

Sezoni 2021-2022              (21 gola)
Sezoni 2020-2021              (11 gola)
Sezoni 2019-2020              (7 gola)
Sezoni 2018-2019              (5 gola)

Sezoni 2017-2018              (10 gola)
Sezoni 2016-2017              (4 gola)
Sezoni 2015-2016              (8 gola)
Sezoni 2014-2015              (12 gola)

Sezoni 2013-2014              (7 gola)*
Sezoni 2012-2013              (7 gola)**
Sezoni 2011-2012              (21 gola)**

*Superiorja ka pasur 12 ekipe
**Superiorja ka pasur 14 ekipe

/ oversport