Renditja e skuadrave që kanë shpenzuar më shumë, dominojnë klubet angleze

CIES (Qendra ndërkombëtare për studimet në sport) ka përpiluar një renditje të skuadrave në 5 kampionatet më të forta të Europës, bazuar në shpenzimet që klubet kanë bërë ndër vite për të ndërtuar organikën aktuale (të këtij sezoni).

Bie në sy dominimi i klubeve të Mançesterit dhe i skuadrave të Premier League në përgjithësi, ndërsa në “Top 10” nuk qëndron asnjë skuadër italiane.

Juventusi është skuadra që ka shpenzuar më shumë në Serie A, ndërsa bie në sy fakti që Napoli ka harxhuar më shumë se Interi dhe Atalanta më shumë se Milani, për të ndërtuar skuadrën aktuale.

Kryeson këtë renditje të veçantë Manchester City me 1.064 miliardë euro të shpenzuara, e ndjekur nga rivalët e United me 1.001 miliardë. Podiumin e mbyll Chelsea me 881 milionë euro. PSG qëndron në vendin e katërt me 847 milionë dhe pas saj vjen Liverpool me 777 milionë.

Juventusi është në vendin e 13-të me 473 milionë të harxhuara, ndërsa Napoli në vend të 19-të me 387 milionë. 286 milionë ka shpenzuar Interi (vendi i 22-të), 272 Roma (vendi i 26-të), 263 Atalanta (vendi i 28-të) dhe 242 milionë Milani (vendi i 30-të). / Oversport.tv

Foto: Manchester City Twitter