Rennes kundër Tottenham: Shtyrja e ndeshjes, një vendim i anglezëve

Rennes nuk është dakord me vendimin e UEFA-s, që ka shtyrë ndeshjen e fundit të grupit në Conference League, që francezët do të luanin në transfertë përballë Tottenhamit.

Klubi francez, që ndodhet aktualisht në Londër, ka publikuar një njoftim për shtyp në faqen e vet zyrtare në internet, ku shkruan se anulimi i ndeshjes ishte pasojë e një vendimi të marrë vetëm nga Tottenham dhe se nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Uefa në asnjë moment.

Sipas Rennes, në një mbledhje të zhvilluar përmes video konferencës, drejtuesit e klubit anglez kanë refuzuar që të tregojnë numrin e saktë të lojtarëve të infektuar me Covid, duke rikujtuar se sipas rregullores ndeshja shtyhet vetëm nëse skuadra ka vetëm 13 lojtarë në dispozicion.

Francezët thonë se Tottenham u bazua në një vendim të autoriteteve angleze, por pa treguar asnjë dokument serioz.

“Ka një mungesë të dukshme Fair Play. Tottenham na njoftoi se do të zhvillohej ndeshja dhe sapo arritëm në Londër na njoftoi se nuk donte që të luante”, shkruhet mes të tjerash në njoftimin e Rennes. / Oversport.tv