Revolucion i detyruar, si pritet të rreshtohet Shqipëria kundër Andorrës

Shqipëria zbret sonte në fushën e “Air Albania” prej orës 20:45 dhe kërkon të vulosë pozicionin në vendin e tretë në kualifikueset e Katar 2022. Andorra është kundërshtari dhe objektivi i vetëm janë tre pikë.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja vijnë në këtë duel me shumë mungesa dhe pjesa më e madhe e formacionit do të ndryshojë.

Dëmtimet e lojtarëve si Kumbulla e Veseli, apo edhe pezullimi i Ismajlit e ndryshojnë krejtësisht prapavijën. Mihaj, Dermaku dhe Hoxhallari janë favoritë për të nisur nga fillimi.

Edhe mesfusha do të ndryshojë krejtësisht. Bare u dëmtua në “Wembley”, kurse Gjasula ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Kështu Laçi e Ramadani do ngrenë “digën” në mesfushë, kurse fantazia i besohet Çekiçit.

Në sulm, në mungesë të Cikalleshit, krah Uzunit mund të aktivizohet Taulant Seferi, i grumbulluar në momentet e fundit. Sa i takon portës, nuk përjashtohet mundësia që t’i jepet një shans Selmanit.

Gjithsesi për momentin favorit shikohet Berisha, edhe pse nuk u shfaq sërish në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Andorrën.

Shqipëria, formacioni i mundshëm: Berisha – Mihaj, Dermaku, Hoxhallari – Roshi, Laçi, Ramadani, Çekiçi, Hysaj – Uzuni, Seferi.

/ oversport.tv